Që nga shekulli XVI, me Kolegjin e vitit 1584, ku, sipas studiuesve të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, mësohej filozofia dhe studioheshin klasikët, Stublla u shndërrua në një vatër të hershme të dijes dhe të arsimit shqip.
Kjo traditë u ringjall sërish në shekullin XIX me hapjen e shkollës, të njohur në popull si “Shkolla e Dom Mikelit”, e emërtuar sipas mësuesit të saj, Dom Mikel Tarabulluzit, dhe e mbështetur nga ndihma e fuqishme e Perandorisë Austro-Hungareze.
Shkolla e dikurshme, sot muze, ruan burime – dokumente arkivore, libra të vjetër disashekullorë që janë shfrytëzuar nga mësimdhënës e nxënës të gjeneratave të ndryshme, si dhe artefakte e objekte origjinale që dëshmojnë rrugëtimin e arsimit shqip në këtë vend unik.