Gjatë deportimit për në Muhaliq (sot: Karaçabej), po ashtu si pasojë e dhunës osmane, vdiqën edhe 13 të tjerë, të cilët u varrosën në Selanik (në varrezat Shën Paraskevi dhe Kalamaria). “Udha e kryqit” vazhdoi nga Selaniku deri në Muhaliq, ku u mbajtën, nën kushte mizerable, siç dëshmojnë dokumente të shumta të kohës. Si pasojë, një numër i tyre vdiqën. Me ndërhyrjen e fuqive të mëdha të kohës, sidomos të Francës dhe Anglisë, të mbijetuarit, në fund të vitit 1848, u liruan dhe u kthyen në atdhe.
Murgeshat e rendit të Shën Vinçencit nga Parisi, të cilat u kujdesën për aq sa mundën për këta martirë shqiptarë, ngritën muret rreth varrezave, si dhe një pllakë, në të cilën sh ënuan se aty prehen martirët shqiptarë nga Stublla, Binça, Vërnakolla dhe Terziaj.
Edhe pas kthimit në atdhe, këta martirë ishin të ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme osmane.
(Për më shumë, shih: Dr. Gjergj Gjergji-Gashi, Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848, Drita, Ferizaj, 1994; Odete Maruet, La déportation des familles albanaises en Anatolie au XIXᵉ siècle dans les Archives françaises, Les Éditions du Cerf, Paris, 2019.)