Kolegji i Vitit 1584 – Stubëll
Themeli i Arsimit të Hershëm Shqiptar (1584 - 1896)
Viti 1584 shënon fillimin e arsimit në gjuhën shqipe në Stubëll. Kjo shkollë, e organizuar në nivel kolegji dhe e hapur fillimisht nga Selia e Shenjtë, nën udhëheqjen e Papës Gregori XIII, përmes vizitorëve apostolikë të saj, Aleksandër Komulloviq (Aleksandar Komulović – Alessandro Comuleus) dhe Tomaso Ragja (Tommaso Raggio), konsiderohet zyrtarisht si institucioni i parë arsimor në gjuhën shqipe në mbarë trojet shqiptare. Për nevojat e kësaj shkolle, ata sollën me vete edhe një libër në gjuhën shqipe në 500 kopje. Vendimi për hapjen e shkollës pikërisht në Stubëll u arsyetua me faktin se kjo zonë ishte albanofone dhe se, sipas burimeve të kohës dhe raportit të hartuar nga të dërguarit e Papës, “nuk vinin dhe nuk banonin turqit”.
Mësimi zhvillohej në objektin e kolegjit që gjendej në hyrje të varrezave të Stubllës. Pavarësisht ndërprerjeve të herëpashershme të shkaktuara nga rrethanat historike në të cilat u gjend populli shqiptar, kjo shkollë vazhdoi veprimtarinë e saj deri në vitin 1896.

Pjetër Budi, Dottrina christiana (Doktrina e krishterë), Prop. Fide, 1664
Një nga librat e vjetër në gjuhën shqipe që ruhen në muze.

Zbulo më shumë libra! Vizito muzeun.
Librat që ruhen në muze dhe që janë shfrytëzuar nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kolegjit/shkollës.
RRËFIME PËR KOLEGJIN – ELEMENTET MATERIALE TË KOLEGJIT: STRUKTURA, HAPËSIRA DHE GJURMËT HISTORIKE.
Muret e rrënuara të Kolegjit të vitit 1584 kanë qëndruar deri në vitin 1952, kur gurët e tyre u përdorën për ngritjen e murit rrethues të varrezave të fshatit. Këtë fakt e kanë dëshmuar, sa ishin gjallë, edhe vetë muratorët e Stubllës. Gurë dhe fragmente tullash nga rrënojat e kolegjit ruhen ende sot. Si dëshmi historike, një gur dhe një tullë ruhen edhe në ambientet e Muzeut, të ekspozuara si artefakte.
VENDIMI I PAPËS
Papa Gregori XIII mori vendim më 10 janar 1584 për të dërguar emisarët e vet, A. Komulloviqin dhe T. Raggio-n, në trojet shqiptare. Më 6 maj 1584, autoritetet osmane, falë ndërhyrjes franceze, lejuan vizituesit apostolikë të hyjnë edhe në një pjesë të Shqipërisë së asaj kohe — territor që sot përfshin Kosovën. Në kuadër të kësaj vizite u përfshinë edhe hapësirat e famullisë së Malit të Zi të Shkupit, pjesë e së cilës ishte Stublla, deri më 1 shkurt 1905, kur kjo e fundit u pavarësua dhe u shpall famulli më vete: Famullia e Shën Jozefit.