Vizita nga miq dhe studiues në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë
Vizitat
Muzeu i Shkollës së Parë Shqipe në Stubëll mirëpret vizitorë nga e gjithë bota. Prej grupeve shkollore dhe universitare, deri te studiues, diplomatë, përfaqësues institucionalë, pjesëtarë të misioneve ndërkombëtare, diaspora shqiptare dhe komunitetet arbëreshe nga Italia – ky muze shërben si një pikë takimi mes historisë, dijes dhe identitetit shqiptar. Çdo vizitë është një dëshmi e gjallë e vlerës së kësaj trashëgimie të përbashkët.
Rrofte FSK-ja!
Sot pata kënaqësinë të mirëpres oficerët e FSK-së Gjilan, të cilët vizituan Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, shkollë që u hap në vitin 1584 në Stubëll. Ky gjest është një dëshmi e respektit dhe përkushtimit të tyre ndaj trashëgimisë sonë kombëtare, kulturës dhe historisë së arsimit shqip.
Vizita e tyre nderon jo vetëm kujtesën e brezave që e hapën dhe e mbajtën gjallë këtë vatër dijeje, por edhe afirmon misionin e FSK-së si institucion që mbështet jo vetëm mbrojtjen e atdheut, por edhe vlerat shpirtërore e kulturore të kombit tonë. I falënderoj nga zemra për praninë e tyre dhe për respektin që treguan ndaj një prej simboleve më të hershme të arsimit shqip në trojet tona. RROFTË FSK-ja! — Dr. Sarë Gjergji
Vizitë shkollore në Ditëlindjen e Gjergji Kastriotit - Skënderbeut
Me rastin e Ditëlindjes së Gjergjit, Muzeu i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë mirëpriti rreth 270 nxënës të klasave të gjashta nga SHFMU “Mihail Grameno” – Fushë Kosovë.
Vizita u shndërrua në një përjetim edukativ, ku nxënësit u njohën me historinë e shkollës së parë shqipe dhe rëndësinë e saj në formimin e identitetit kombëtar.
Falënderim i përzemërt për nxënësit dhe mësimdhënësit për vizitën dhe interesimin e treguar.
Vizitë edukative e nxënësve në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe
Gjatë kësaj vizite, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me historinë e vendit ku u hodhën themelet e arsimit shqip në Kosovë. Përmes rrëfimeve, hapësirave dhe objekteve origjinale, ata u ftuan të imagjinojnë jetën dhe mësimin e brezave të mëparshëm, duke “rilidhur” të shkuarën me përjetimin e tyre sot.
Faleminderit nxënësve dhe mësimdhënësve të SHFMU “Hasan Prishtina”, Prishtinë, për vizitën dhe interesimin.
Në kuadër të projektit “Dizajnimi i hapësirave publike për ndërtesa historike”
Studentët realizuan një vizitë studimore në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, në Stubëll. Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me historinë e objektit, rolin e tij në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare, si dhe me ndryshimet që ka pësuar ndër vite në funksion dhe strukturë.
Informacionet e mbledhura do t’u shërbejnë studentëve si bazë për zhvillimin e ideve dhe koncepteve që synojnë ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e lidhjes së objektit me komunitetin përmes dizajnimit të hapësirave publike përreth tij.
VIZITË E NXËNËSVE TË SHKOLLËS “KONGRESI I MANASTIRIT”.
Sot, në Stubëll, nxënës të shkollës “Kongresi i Manastirit” nga Pozherani, nën organizimin e z. Adnan Ramadani me bashkëpunëtorë, vizituan Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, një shkollë me gjenezë që daton në vitin 1584. Gjatë vizitës, nxënësit u njohën me historikun e shkollës dhe patën mundësinë të shohin dokumente të shumta arkivore nga arkivat ndërkombëtare, si edhe libra në gjuhën shqipe që datojnë që nga viti 1664, të cilët janë përdorur nga mësues e nxënës ndër vite.
Po ashtu, ata panë edhe artefakte të shumta që lidhen me shkollën dhe me historinë e martirëve shqiptarë të Malit të Zi e të Shkupit (1846-1848). Vizita u shoqërua me një bashkëbisedim të hapur e interesant me nxënësit, për çka i falënderojmë për interesimin dhe respektin ndaj trashëgimisë sonë arsimore e kulturore.
- Dr. Sarë Gjergji